
HANDIKOS në bashkëpunim me OPAK dhe ZQM’në lansojnë raportin vjetor për aftësinë e kufizuar
- Published:3 Dhjetor 2020
- By Kaltërina Misini
- Category: Aktivitetet
Në kuadër të Projektit “Kosova Gjithëpërfshirëse” (Promovimi i gjithëpërfshirjes në proceset konsultative për reformat e qeverisjes dhe administratës publike në sektorin e aftësisë së kufizuar në nivel lokal, nacional dhe regjional), mbështetur nga zyra e BE në Kosovë, i cili implementohet nga HandiKOS, në partneritet me Disability Partnership Finland, Threshold, Shoqatën Kosovare të Shurdhërve dhe Shoqatën e të Verbërve të Kosovës, dhe Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën për Qeverisje të Mirë, është organizuar Konferenca për të shënuar 3-Dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara.
Qëllim i shënimit të kësaj dite ishte diskutimi dhe përcaktimi i prioriteteve në mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara, si pjesë e barabartë e shoqërisë në Republikën e Kosovës.
Hapjen e Konferencës dhe fjalën hyrëse e bëri Z. Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit, kurse pjesëmarrës me fjalimet dhe mbështetjen e tyre ishin edhe zv. kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Driton Selmanaj dhe z. Naim Celaj, Instituti i Avokatit të Popullit.
Panelistë të tjerë në konferencë ishin znj. Latife Neziri nga Projekti “Kosova Gjithëpërfshirëse” i cili mbështetet nga zyra e BE’së në Kosovë, e cila ka prezantuar Raportin Vjetor të Aftësisë së Kufizuar, si dhe z. Bujar Kadriu, Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, z. Afrim Maliqi, HANDIKOS, z. Enver Kurtalani, Shoqata Kosovare e të Shurdhërve dhe Daut Tishuku, Shoqata Kosovare e Personave të Verbër.