Ngjarjet

 
01 Mars 2020

Me marshim e aktivitete të tjera sot shënuam Ditën e Përdoruesve të Karrocës – Kërkohet qasje për të gjithë

 

Me moton "Mos ma kufizo lëvizjen", HANDIKOS sot për të dytën herë radhazi shënoi 1 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës. Bashkërisht me përdorues të karrocave e qytetarë të tjerë, marshuam në sheshet e kryeqytetit, duke bërë thirrje për vetëdijësim të shoqërisë dhe institucioneve për mungesën e infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuara. Pjesëmarrës ishin edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, kryeparlamentarja znj. Vjosa Osmani dhe përfaqësues nga ambasada të huaja në vend dhe organizata ndërkombëtare.

Drejtori i HANDIKOS-it, z. Afrim Maliqi gjatë fjalimit të tij para të pranishmëve theksoi se lëvizja e lirë është e drejtë fundamentale e çdo personi, kështu duke bërë thirrje që qasja infrastukturore të rregullohet për të gjithë.

"Karrocat janë një ndër pajisjet më të përdorura për personat me vështirësi në lëvizje. Mirëpo mungesa e qasjes në hapësira publike, rrugë ,trotuare, mohon fshehurazi lëvizjen e tyre. Ata i shpie në një lëvizje të kufizuar. Shkaktar për këtë gjendje është mungesë e zbatimit të vargut ligjor për këtë persona... vetëm 30 përqind legjislacioni përmbush nevojat e personave me aftësi të kufizuara. 6,7 përqind ka të përmbushur qasjen për persona me aftësi të kufizuara", u shpreh ai.

Z. Maliqi theksoi që gjatë këtij viti do të punohet shumë në mënyrë që viti 2021 të shpallet vit i Aftësisë së Kufizuar në Kosovë.

"Rekomandojmë që Kuvendi i Kosovës të shpall me rezolutë vitin 2021, për personat me aftësi të kufizuar", tha z. Maliqi.

Kurse kryeministri i Kosovës, z. Albin Kurti u premtoi personave me aftësi të kufizuara se në Kuvend e Qeveri do ta kenë shtegun e pjerrtë dhe kushtet e tjera të nevojshme për qasje.

" Bëhet fjalë për qytetarët tonë me nevoja të veçanta të cilët e kanë jetën më të vështirë, e ne si pjesëtarë të shtetit, duhet që ta dëshmojnë empatinë dhe solidaritetin... me trajtimin solidar që ua bëjmë njerëzve në karrocë, ne të dëshmojmë se çfarë shteti dhe shoqërie jemi. Ne duhet t’i marrim tash rezultatet e këtyre strategjive të bashkëbisedojmë dhe në mënyrë që ta kemi një planifikim i cili merr edhe praktikat e BE-së, edhe mbi të gjitha përvojën e juaj jetë sore këtu që duhet të lehtësohet duke mos e kufizuar lëvizjen", deklaroi z. Kurti.

Po ashtu, edhe kryeparlamentarja znj. Vjosa Osmani ka theksuar se do të jenë mbështetës të personave me aftësi të kufizuara, në mënyrë që të gjithë të jenë pjesë e shoqërisë me të drejta të barabarta.

Vendimi i parë që e ka nënshkruar ajo, tha se ka qenë që personat me aftësi të kufizuara të kenë qasjen më të lehte në Kuvend të Kosovës, që sipas Osmanit do të implementohet shumë shpejt.

"Do të jemi këtu jo vetëm me rezoluta, sepse për shumë copa letrash që nuk janë zbatuar. Do të jemi pranë jush shpirtërisht e mbi të gjitha do të jemi pranë jush me vendime konkrete për t’iu bërë më të lehtë jetën", deklaroi ajo.

"Ku shkel këmba jote, të shkel rrota jeme", "Edhe unë mundem nëse kam qasje", dhe "Na kështu lëvizim", ‘’ooo ndreqma qasjen’’, ishin vetëm disa nga thirrjet që u shënuan në pankartat e kësaj dite.

Pjesë e këtij aktiviteti ishte edhe një performancë me këngë dhe vallëzim në amfiteatrin e sheshit ‘Zahir Pajaziti’ në Prishtinë.

Dita e Përdoruesve të Karrocës, për herë të parë u shënua vitin e kaluar në Kosovë, me qëllim të festimit të ndikimit pozitiv të karrocës në jetën e një personi, rikujtimit të numrit të përdoruesve të karrocës në vend dhe në botë, si dhe vetëdijësimit të shoqërisë për t’a bërë botën një vend të qasshëm për të gjithë.