Ngjarjet

 
03 Dhjetor 2019

Personat me aftësi të kufizuara kërkojnë qasje dhe gjithëpërfshirje në Kosovë

HANDIKOS sot shënoi 3 Dhjetorin-Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara në Kosovë, përmes dy konferencave vjetore dhe aktiviteteve të tjera, të cilat u realizuan në Qendrën e Resurseve në Prishtinë.

Në konferencën vjetore “Promovimi i pjesëmarrjes së personave me aftësi të kufizuara dhe lidershipit të tyre: Ndërmarrja e veprimeve mbi Agjendën Zhvillimore 2030”, që është mbajtur sot në Qeverinë e Kosovës, pjesëmarrës ishin edhe përfaqësues institucional dhe nga zyra e BE-së, ku u kërkua përfundimi i hartimit të ligjit gjithëpërfshirës për personat me aftësi të kufizuara.

Drejtori i HANDIKOS-it, z.Afrim Maliqi theksoi nevojën për gjithëpërfshirje të personave me aftësi të kufizuara dhe njohje të të drejtave të tyre në Kosovë.

‘’Personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me sfida të ndryshme në të gjitha aspektet jetësore, të cilat ua pamundësojnë atyre jetën e dinjitetshme dhe realizimin e të drejtave të cilat burojnë edhe nga Kushtetuta dhe aktet e tjera ligjore në vendin tonë. Kosova në këtë kohë duhet të ketë imperativ dhe domosdoshmëri të krijimit të një shoqërie gjithëpërfshirëse në njohje të plotë të të drejtave dhe mundësive të plota për të gjithë qytetarët e saj, sepse të drejtat e njeriut nuk njohin kufi në aspektin gjinor, fetar, etnik, racor e as në aspektin e aftësisë së kufizuar. Aftësia e kufizuara duhet të shihet si çështje e të drejtave të njeriut dhe gjithmonë duke i respektuar ato’’, ka thënë z.Afrim Maliqi.

Ndërsa znj.Hillen Fracke nga zyra e BE-së në Kosovë kërkoi nga institucionet e vendit që të bëjnë gjithëpërfshirje, duke përmendur qasjen nëpër sfera të ndryshme të jetës.

“Ne kërkojmë dhe lusim institucionet e Kosovës që të mbyllin këto hendeqe dhe të bëjnë këto përfshirje. Ka shumë aspekte për të përfshirë qasja në arsim dhe në kujdes shoqëror është me rëndësi kritike. Qasja në punësim dhe pjesëmarrje publike po ashtu është fushë me rëndësi kritike, tha znj. Fracke.

Gjatë kësaj konference, HANDIKOS prezantoi edhe raportin e hulumtimit ‘Standardet ndërkombëtare të aftësisë së kufizuar: Ku qëndron Kosova?’’.

Ndërsa konferenca e dytë ‘’Promovimi i Pjesëmarrjes dhe lidershipit të personave me aftësi të kufizuara ‘’, u mbajt në Qendrën e Resurseve të HANDIKOS-it në Prishtinë, ku panelistë ishin Eldin Gashi, përfaqësues i grupit avokues të fëmijëve ‘Hëna’, z. Afrim Maliqi, drejtor i HANDIKOS-it, z.James Mugaju, zëvendësshef i zyrës së UNICEF-it në Kosovë, znj. Melita Kabashi nga organizata Save the Children, z.Dren Kukaj nga drejtoria për Mirëqenie Sociale në Komunën e Prishtinës dhe z.Qazim Gashi nga Ministria për Mirëqenie Sociale.

Me këtë rast, sërish iu bë thirrje institucioneve që të zbatohen të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe që ata të përfshihen në agjendat e politikës lokale dhe nacionale.

Eldin Gashi nga Grupi Avokues i Fëmijëve “Hëna”, ka thënë se të vegjëlit me aftësi të kufizuara vazhdojnë të paragjykohen në shoqëri.

“Të jesh fëmijë me aftësi të kufizuar në Kosovë është të përballesh me disa barriera, si në qasje fizike, arsimim, shëndetësi, paragjykime dhe diskriminimin që të bëjnë shokët ose njerëzit e tjerë. Pikërisht për këtë qëllim, për të tejkaluar këto barriera, ne në kuadër të Handikos kemi formuar një grup që e kemi quajt ‘Grupi Hëna’. ‘Grupi Hëna’ e ka një mision që është garantimi i të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara”, ka thënë Gashi.

Drejtori i HANDIKOS-it, z.Afrim Maliqi ka thënë se kjo ditë fokusohet në ngritjen e vetëdijes dhe sensibilizimin e shoqërisë.

“Janë tre shkaktarë kryesorë të cilët i përjashtojnë personat me aftësi të kufizuara nga shoqëria apo mospjesëmarrja e tyre në shoqëri. Së pari, është paragjykimi që ekziston ndaj njerëzve me aftësi të kufizuara, të cilët shkaktojnë frikë, komplekse dhe izolim, ku familjet izolohen dhe mbyllen. Shkaktari i dytë është infrastruktura e pa qasshme, e cila nuk u krijon mundësi të barabarta sikur të gjithë qytetarëve të tjerë të marrin pjesë në fushën politike, kulturore dhe të konkurrojnë të barabartë me të tjerët. Gjithashtu, shkaktari i tretë është legjislacioni, i cili ose nuk i merr për bazë të drejtat e personave me aftësi të kufizuar ose nuk i zbaton ato’’, ka thënë ai.

HANDIKOS gjatë kësaj konference ka shfaqur një video-animacion për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe përfshirjen e tyre. Po ashtu u shfaq edhe një raport mbi dhunën ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara.

Në fund, anëtarja e HANDIKOS-it, znj. Drita Kluni hapi zyrtarisht ekspozitën “Stick Up for WoW”- Women on Wall, që ka për qëllim të fuqizojë gruan me aftësi të kufizuar.

Dita Ndërkombëtare e Personave me Aftësi të Kufizuar është iniciuar nga Kombet e Bashkuara që nga viti 1992, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për përfshirjen e personave me aftësi të kufizuara në jetën politike, sociale, ekonomike dhe kulturore.