Ngjarjet

 
01 Tetor 2020

''Unë sot jam shumë i lumtur. M'u ka ndërtuar pjerrina në shkollë''

‘’Unë sot jam shumë i lumtur sepse m’u ka plotësu një e drejtë elementare. Më është ndërtuar pjerrina në shkollë’’...

Këto janë fjalët e avokuesit për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara, Rijad Mehmetit i cili sot kaloi për herë të parë nëpër pjerrinën e shkollës së mesme të lartë në Prishtinë ‘’Gjin Gazulli’’, aty ku tashmë ka nisur vijueshmërinë e klasës së 10-të.

Rijadi më ndryshe se sa herave tjera, ishte më i lumtur dhe më i hareshëm që sot do të zgjohej e të vinte në shkollë, pa pasur nevojë që me ndihmën e njerëzve përreth t’i kalonte shkallët e larta me karrocë për t’u futur brenda shkollës.

Dhe kjo falë kërkesës së shkollës ‘’Gjin Gazulli’’ dhe intervenimit të shpejt të Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, në bashkëpunim me Ndërmarrjen Publike Banesore në Prishtinë.

‘’Po ndihem mirë dhe besoj që është shumë më e lehtë edhe për mua edhe për ata fëmijë tjerë me aftësi të kufizuara që kanë me vazhdu me viju mësimin në këtë shkollë. Si në shumicën e krejt shkollave, do të ishte mirë të kishte qasje edhe në katin e dytë për kabinete, por kryesorja është që m’u ka plotësu e drejta për me hy brenda në shkollë’’, thotë Rijadi.

Ai ka edhe një apel ndaj institucioneve vendore, në mënyrë që qasje infrastrukturore dhe me standarde të ketë në të gjitha shkollat e Kosovës.

‘’Apeli im ndaj institucioneve është që qasjen me e ndërtu në mënyrën e duhur, në të gjitha shkollat e Kosovës që fëmijët me aftësi të kufizuara me pasë sa më të lehtë. Mua sot m'u ndërtua, por normal kjo është dashtë të ndërtohet më herët dhe do të ishte më mirë’’, shton Rijadi.

Drejtori i shkollës ‘Gjin Gazulli’’, Bujar Gjocaj tregon se ka qenë më se e nevojshme një pjerrinë në institucionin arsimor të cilin e udhëheqë, por që mbetet shumë për të bërë edhe në pjesët e tjera të objektit.

‘’Kur unë e kam pa Riadin kam kërku takim me drejtoreshën e DKA’së dhe kemi reaguar menjëherë. Në katin e parë, ka edhe banjo të qasshme, dhe është e vetmja hyrje për persona me aftësi të kufizuara’’, tregon Gjocaj.

Megjithatë, pjerrina e sapondërtuar pritet që ditëve në vijim të finalizohet edhe me mbulueshmërinë lartë. E një model të tillë, padyshim që duhet ta aplikojnë edhe shkollat e tjera në vendin tonë, të cilat fatkeqësisht nuk përmbushin as këtë të drejtë elementare të fëmijëve, e që është qasshmëria.

Përpos këtij intervenimi, Rijadi shpreson në angazhimin e asistencës personale për të, dhe për të gjithë fëmijët e tjerë me aftësi të kufizuara, proces i cili ka ngecur tash e sa kohë në institucionet tona.

E për të mos e vërejtur shumë këtë mungesë, është shoku i tij i bankës i cili ka shprehur vullnetin t’i qëndrojë tërë kohën afër Rijadit, në mënyrë që mësimet e ushtrimet t’i marrë në mënyrë sa më të duhur.

HANDIKOS së shpejti do të publikojë  raportin hulumtues për qasjen në 244 shkolla të shtatë regjioneve të Kosovës, i cili është realizuar në kuadër të projektit ‘’Avancimi i Situatës së Fëmijëve me Aftësi të Kufizuara në Kosovë’, me mbështetje të zyrës së UNICEF-it në Kosovë.