Njoftime

 
22 Gusht 2017

MPMS dhe HandiKOS-i, nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin e qendrës së PAK në Mitrovicën jugore

Ministri në detyrë i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Z. Safet Kamberi dhe Z. Afrim Maliqi, drejtor i HandiKOS-it kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për bashkëfinancimin e projektit për ndërtimin e qendrës së personave me aftësi të kufizuar në Mitrovicën e jugut.

Qëllimi i kësaj qendre të HandiKOS-it është që t’u ofrojë shërbime rehabilituese, psiko-sociale, juridike, të ofrojë trajnime për personat me aftësi të kufizuar, si dhe të fuqizojë ata. Kostoja e ndërtimit të kësaj qendre është 200 mijë euro. MPMS-ja merr obligimin të financojë gjysmën e këtij projekti, që kap shumën e 100 mijë eurove, ndërsa 100 mijë euro të tjera Handikos-i do t’i sigurojë  përmes donatorëve të tjerë. Për funksionalizimin sa më efikas të qendrës, MPMS-ja do të marr përsipër shpenzimet tjera, të paplanifikuara, që rrjedhin gjatë operacionalizimit të kësaj qendre. Me përfundimin e këtij projekti në Mitrovicën jugore, nga kjo qendër do të përfitojnë shërbime direkte dhe indirekte afro 500 persona me aftësi të kufizuar, si dhe familjet e tyre.

Objektivë kryesore e HandiKOS-it është respektimi i të drejtave dhe përmirësimi i standardeve të jetës së personave me aftësi të kufizuar në Kosovë, përmes veprimit në fushën e shëndetësisë, mirëqenies sociale dhe të punësimit, ndërsa sot veprimtaria është shtuar edhe në dy tematika të tjera: arsim dhe pjesëmarrje. E gjithë kjo arrihet përmes përkrahjes së personave me aftësi të kufizuar, me qëllim fuqizimin e pjesëmarrjes së tyre aktive në të gjitha proceset shoqërore.

HandiKOS punon dhe avokon për ti dhënë fund diskriminimit të personave me aftësi të kufizuar dhe përkrah një shoqëri me zë të fuqishëm, duke promovuar vlerat dhe respektimin e të drejtave të njeriut në Kosovë.