Njoftime

 
18 Nëntor 2016

RAPORT I HULUMTIMIT MBI BARRIERAT ARKITEKTONIKE NË NDËRTESAT PUBLIKE NË QYTETIN E PRISHTINËS

Në hulumtimin në kuadër të projektit “Prishtina për të gjithë” në korrik të vitit 2016, u krye vlerësimi i qasjes fizike për Persona me Aftësi të Kufizuara (tash e tutje në dokument PAK), në ndërtesat dhe shërbimet publike, si dhe në disa ndërtesa dhe shërbime private që shfrytëzohen nga një publik i gjerë i qytetit të Prishtinës. Caku i këtij projekti ka qenë vlerësimi i qasjes vetëm në nivel qyteti dhe ndërtesat në rrethe dhe fshatra nuk janë përfshirë në këtë hulumtim. Prishtina si fokus i këtij studimi është marrë meqë, mes tjerash, ka përqendrimin më të madh të ndërtesave dhe shërbimeve publike në nivel shtetëror dhe komunal, në të gjitha tipologjitë, prej arsimit, shëndetësisë dhe administratës, deri te kultura, sporti, rekreacioni, etj.

Në studim janë përfshirë 195 ndërtesa dhe shërbime publike dhe rezultatet e vlerësimit pasqyrojnë një situatë jashtëzakonisht problematike sa i përket mundësisë së qasjes fizike për të gjitha grupet e komunitetit me aftësi të kufizuar, por edhe për pjesëtarët e tjerë të komunitetit, sikurse të moshuarit, prindërit me karroca fëmijësh, fëmijë, etj. Edhe pse e rregulluar me udhëzim administrativ që është aneks i ligjit të ndërtimit qysh nga viti 2007, si dhe e drejta për qasje e garantuar në kuadrin ligjor të Republikës së Kosovës (ligjet jo diskriminuese ndaj PAK në veçanti i gjejmë në kushtetutën e Kosovës, në ligjin për punësim, arsim, e shumë rregullore të tjera), duket se vullneti për zbatimin e tyre mungon në të dy nivelet (nivelin lokal dhe qendror), por edhe mekanizmat e zbatimit të këtyre rregulloreve mungojnë. Andaj, situata aktuale e pamundësisë së qasjes së PAK në ndërtesa dhe shërbime publike vazhdon të jetë problematike, për pasojë të së cilës kemi një komunitet të margjinalizuar të PAK dhe të pa përfshirë në vendimmarrje, në arsim, punësim dhe me probleme të qasjes në shëndetësi dhe shërbime të tjera. Me një fjalë, një komunitet i cili ka të pamundur të realizojë të drejtën e cila i garantohet me konventën e Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e PAK, për jetë të pavarur dhe të dinjitetshme.

Raportin e plotë e gjeni këtu.