Ballina

 

Halit Ferizi

Halit Ferizi u lind me 27.07.1949 në fshtin Pasomë, Komuna e Vushtrisë dhe ndërroi jetë me 05.05.2009 në Prishtinë. Duke qenë vet person me aftësi të kufizuar dhe duke e parë gjendjen e rëndë të personave me aftësi të kufizuar si dhe nevojën për fuqizimin e këtyre personave në Kosovë, Ferizi, bashkë me disa qytetarë të tjerë, e themeloi Shoqatën e Paraplegjkëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës në vitin 1983.

Që nga themelimi i shoqatës e deri kur ndërroj jetë, Ferizi ishte kryetar i shoqatës. Me punën dhe angazhimin e tij, ai ka arritur ta shtrijë shoqatën në të gjitha komunat e Kosovës gjatë viteve të 90'ta. Shoqata gjatë kësaj periudhe ka vepruar përmes avokimit dhe lobimit për personat me aftësi të kufizuar. Falë tij, shoqata ka dhënë kontribut të madh edhe gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke ofruar shërbime, pajisje ndihmëse, barëra dhe mjete tjera mjeksore për të plagosurit dhe qytetarët në përgjithësi.

Pas luftës, Halit Ferizi arriti që Shoqatën e Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës ta riorganizojë dhe regjistrojë pranë organeve kompetente me emërtim të njëjtë, duke ia shtuar akronimin HandiKOS. Duke kontaktuar me donatorë të jashtëm, Ferizi arriti që përmes HandiKOS-it të ju ofrojë personave me aftësi të kufizuar shërbimet dhe pajisjet e dosmosdoshme, siç janë karrocat lëvizëse, pajisjet ortopedike dhe materialet tjera të domosdoshme për ta.

Duke qenë vizionar dhe këmbëngulës në punën e tij, Ferizi ka shndërruar HandiKOS-in në emblemën e aftësisë së kufizuar në Kosovë dhe sot numëron rreth 18.000 anëtarë në rrjetin e tij.

Halit Ferizi, arriti që ta bëjë shoqatën të njihej dhe të vlerësohej edhe në rajon dhe më gjërë. Sipas analizës së bërë nga INTRAC (Organizatë kjo angleze, e specializuar për vlerësimin dhe zhvillimin e organizatave), HandiKOS është radhitur si Organizata më e madhe e personave me aftësi të kufizuar në Evropën Juglindore.

Përveç angazhimit në Handikos, Haliti ishte edhe Kryesues i Koalicionit të Organizatave Kombëtare të Personave me aftësi të kufizuar të Kosovës të emërtuar si “Mundësi te Barabarta”; Bashkë kryesues i Këshillit Kombëtar të Aftësisë së Kufizuar të Kosovës i themeluar nga Kryeministri i Qeverisë së Kosovës; Anëtar i Këshillit të Pergjthshëm për Shërbime Sociale dhe Familjare; Anëtar i Grupit Strategjik të Forumit Evropian të aftësisë së kufizuar për çështjen e aftësisë së kufizuar për Evropën Juglindore; Nënkryetar i Kuvendit të Organizatave Joqeveritare dhe anëtar i Bordit Ekzekutiv nga viti 2000; Anëtar i Komisionit  Qendror Zgjedhor  - KQZ; Anëtar i Grupit Punues të UNMIK-ut për aftësinë e kufizuar; Anëtar i Grupit Punues për Hartimin e Strategjisë së Shëndetësinë në Kosovë e shumë detyra të tjera në interes publik dhe të personave me aftësi të kufizuar.