Njoftime

 
09 Tetor 2019

Punishtja për montimin e karrocave në HANDIKOS – Ja puna vullnetare që bëhet në të

Në katin përdhesë të qendrës së HANDIKOS’it gjendet punishtja për montimin e karrocave ndihmëse. Një ambient përplot mjete pune dhe vullnet-mirë.

E formuar që prej vitit 2005, punëtoria në HANDIKOS ka nxjerrë shumë karroca të montuara për nevojat e anëtarëve të shoqatës, por edhe për kërkesa nga jashtë.

Plot anëtarë meshkuj, ndër vite kanë bërë punë vullnetare, ku përveç që kanë shërbyer në ndihmesë të këtyre pajisjeve, ata edhe kanë kaluar një pjesë të ditës së tyre për të bërë punën që e duan.

Përshtypjet dhe eksperiencat në këtë punishte na i tregon Agon Caka, i cili ka katër vite që i është bashkëngjitur familjes së madhe të HANDIKOS’it.

‘’E bëjmë këtë punë vullnetare. Vijmë dhe ndihmojmë për montimin e karrocave. Me këtë punë kam nis me u marrë prej se jam ardh këtu. E kam kry edhe një trajnim për rregullimin e karrocave’’, ka thënë ai.

Por Agoni nuk është i vetëm. Në montim bashkërisht sot po kontribuojnë edhe dy anëtarë të tjerë, Gzim Maloku dhe Naim Qurolli.

Gzimi ka plot dhjetë vjet që është anëtarësuar në Qendër, por tek së fundmi ka nisë të angazhohet në punëtori.

‘’Më pëlqen shumë kjo punë. Punë bëjmë sa të ketë nevojë gjatë ditës’, na tregon Gzimi.

Që nga krijimi, punishtja ka hasë në shumë vështirësi financiare, megjithatë asnjëherë nuk është ndalë puna e njerëzve vullnet-mirë.

Me ndihmën e fondacioneve dhe ministrive përkatëse, janë siguruar mjete të nevojshme për zhvillimin e punës.

Punishtja është e hapur tri herë në javë, të hënën, të mërkurën dhe të premten.

Jo vetëm anëtarët e HANDIKOS’it, edhe të interesuarit nga jashtë mund të na bashkëngjiten në aktivitetet tona.