Historiku

 

“Shoqata e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve të Kosovës” është themeluar në vitin 1983, me iniciativën e Z. Halit  Ferizi, kryetar i atëhershëm i shoqatës dhe më vonë lider i lëvizjes së aftësisë së kufizuar në Kosovë, së bashku me një grup të qytetarëve me aftësi të kufizuara. Objektivë kryesore e kësaj Shoqate ishte “përmirësimi i të drejtave dhe i standardeve të jetesës së personave me aftësi të kufizuar në Kosovë” përmes veprimit në fushën e mbrojtjes shëndetësore, sociale dhe të punësimit.

Që nga viti 1989, gjendja e personave me aftësi të kufizuar u keqësua me të shpejtë, gjendje të cilën e ndihmoi kriza në kontekstin politik, social  dhe ekonomik. Shkatërrimi i sistemit të kujdesit shëndetësor, humbja e vendeve të punës më së shumti preku këtë grup njerëzish të cilët edhe ashtu ishin plotësisht të varur nga burimet e pakta të familjes. Një pjesë e madhe e personave me aftësi të kufizuar jetonin me pak apo pa fare ndihmë nga shërbimet e mbrojtjes sociale, ngaqë me largimin e mbajtësve të familjes nga vendet e punës humbnin edhe  ato pak te drejta që kishin gëzuar deri atëherë. Kjo gjë  i bëri ata plotësisht të varur nga ndihma humanitare. Situata e këtillë shtyri shoqatën që të ndërmarrë aksione me qëllim të zbutjes së situatës së Personave me Aftësi të Kufizuara duke lobuar dhe avokuar tek institucionet e sistemit paralel për të inkorporuar nevojat e  Personave me Aftësi të Kufizuara  në lëvizjen e gjithmbarshme popullore.

Programi i rehabilitimit të bazuar ne bashkësi (RBB) filloi në gjysmën e parë të vitit 1994. Gjatë këtij viti shoqata me ndihmën e OJQ-ve ndërkombëtare, veçanërisht të Handicap International (HI) e cila paraqet edhe kontaktin e parë të shoqatës me një organizatë ndërkombëtare, ku u siguruan materiale si: karroca dhe material higjienik për 200 familje. Ky program më tej vazhdoi të realizohet në bashkëpunim dhe bashkëveprim me HI dhe me organizata të tjera ndërkombëtare dhe lokale si:

· HANDICAP INTERNATIONAL (HI), organizatë ndërkombëtare, përmes përkrahjes me kuadër nga jashtë (fizioterapeutit dhe psikologut) dhe ofrimit të pajisjeve ndihmëse, material për inkontinencë dhe material mjekësore për trajtimin e plagëve dekubitare, si  dhe mjete për rehabilitimin psiko-social dhe primar fizikal të fëmijëve.

· NËNA TEREZË, shoqatë lokale humanitare/bamirëse, përmes kontributit të drejtpërdrejtë të mjekëve dhe infermierëve vullnetarë të kësaj shoqate.

· OXFAM-i, organizatë nga Britania e Madhe, përmes trajnimeve mbi të drejtat dhe integrimin e personave me aftësi të kufizuar në shoqëri si dhe ndihmave në veshmbathje, mjete higjienike, etj.

· Organizata dhe agjenci të tjera si Save the Children, Mercy Corps, Children Aid Direct etj, përmes sigurimit të pakove higjienike për rastet sociale dhe personave me aftësi të kufizuar që jetonin në kushte të vështira.

Gjatë kësaj kohe mbi 320 aktivistë te profileve te ndryshme përfshirë këtu edhe vet personat me aftësi të kufizuar u përfshinë në identifikimin, vlerësimin dhe përkrahjen e nevojave të personave me aftësi të kufizuar. Ky grup aktivistësh paraqiste një bazë të mirë për krijimin e strukturave të para organizative të emërtuara grupe aktive lokale (GAL).

Programi u organizua në fazat si më poshtë:

· Themelimi i grupeve aktive lokale;

· Furnizimi me pajisje të duhura për përmirësimin e jetës sociale;

o Shpërndarjen e drejtpërdrejtë në familje dhe edukimi rreth përdorimit dhe mirëmbajtjes së materialit;

o Vizitat përcjellëse, të realizuara nga  zyrat lokale dhe ekipi i rehabilitimit (shërbimeve) te bazuar në bashkësi i nivelit qendror;

o Parandalimi i pasojave të aftësisë së kufizuar;

· Themelimi i qendrave të rehabilitimit të bazuar në bashkësi (QRBB).


Menjëherë pas luftës, HandiKOS përsëri filloi një organizim të ri duke u përpjekur që ta riaktivizonte rrjetin dhe të caktonte objektivat kryesore të veprimit në bashkëpunim me agjencitë ndërkombëtare dhe organizata joqeveritare (OJQ) vendore me qëllim të përkrahjes së personave me aftësi te kufizuar dhe familjarëve të tyre me material dhe mjete të domosdoshme për jetë.


Prezenca e organizatave ndërkombëtare i ofroi HandiKOS mundësinë që të bëjë shumë shpejt rikonstruktimin e rrjetit dhe jo vetëm që rriti numrin e grupeve aktive lokale dhe të qendrave të bashkësisë por me ndihmën e përkrahjes nga jashtë i punësoi shumë nga vullnetarët. Në periudhën e emergjencës, për ti përmbushur nevojat e qytetarëve me aftësi të kufizuara është bërë regjistrimi i personave me aftësisë së kufizuar dhe shpërndarja e materialit higjienik, mjekësor dhe pajisjeve ndihmëse. Për çdo grup aktiv lokal ishin të nevojshëm tre punëtorë ku dy prej tyre ishin punëtorë të terrenit dhe një përgjegjës i zyrës.


Në çdo qendër të bashkësisë ishin: koordinatori, dy punëtorë të rehabilitimit primar fizikal, një për aktivitetet psike-motorike dhe një vozitës për transportimin e fëmijëve. 
Puna e qendrave të HandiKOS përcillej nga fizioterapeuti i lartë dhe trajneri i aktiviteteve psike-motorike të dy nga Handicap International.


Duhet theksuar se kontribut te jashtëzakonshëm në përkrahjen e realizimit te programit të HandiKOS kanë ofruar partneret ndërkombëtar si: “Handicap International”, “OXFAM”, Agjencioni Finlandez FIDIDA, Qeveria e Finlandës, dhe Ambasada e Finlandës, Organizata Italiane  “Onlus Wamba-Athena”, “Onlus Roberto Bazzoni”, “Save The Children”, “UNICEF”, Agjensioni Evropian per ndërtime dhe rindërtim,    etj. ndërsa nga viti 2004 HandiKOS në mënyrë modeste e kanë përkrahur edhe disa Komuna të Kosovës dhe donator lokal.


Gjatë kësaj periudhe HandiKOS u rrit dhe u zhvillua, sidomos në drejtim të ndërtimit të kapaciteteve, si dhe krijimit të infrastrukturës, në ndërtimin e objekteve në shumicën e komunave te Kosovës, si në: Suharekë, Pejë, Drenas, Malishevë, Dragash, Ferizaj, Mitrovicë, Mitrovicë veriore, Lipjan, Shtime, Istog, Gjilan, Prizren, etj, e sidomos duhet përmendur ndërtimin e Qendrës Resurseve të Personave me Aftësi të Kufizuara, mbështetur nga “WINSLOW STARK FOUNDATION” dhe “LINDEN ROOT DICKINSON FOUNDATION” dhe implementuar nga “World Vision”. Të gjitha këto objekte janë të pajisura me të gjitha pajisjet e nevojshme të punës për të ofruar shërbime rehabilituese primare fizikale dhe psiko-sociale, mjete transporti, dhe pajisje zyre.


Disa nga rezultatet e arritura nga kjo punë disa vjeçare përfshijnë
:

· Aktualisht  HandiKOS  veprimtarinë e vet e zhvillon në tërë territorin e  Kosovës  me  13 Zyra lokale dhe 14 Qendra të Rehabilitimit të Bazuar në Bashkësi, përfshirë këtu edhe pjesën Veriore të Kosovës;

· HandiKOS ka një databazë me 18,000 anëtarë me aftësi te kufizuara fizike dhe te kombinuara te moshave, gjinive, dhe etnive te ndryshme;

· Nga viti 1999 deri më sot HandiKOS ka ofruar shërbime të rehabilitimit primar për rreth 2,900 fëmijë me aftësi të kufizuar duke ju ofruar rreth 22,500 trajtime të rehabilitimit psiko-sociale dhe primar fizikal te ofruara në çdo vit;

· HandiKOS ka ofruar rreth 6,300 pajisje të ndryshme ndihmëse, përfshirë këtu karrocat, kukëzat, karroca tualeti, material për inkontinencë, material për trajtimin e plagëve dekubitare etj.;

· Në mbështetje të organizatave ndërkombëtare, HandiKOS ka arritur që të përmirësoj qasjen në infrastrukturën fizike duke rregulluar 96 pjerrina në objektet publike si dhe adaptimin e ambienteve të banimit tek personat me aftësi të kufizuara.

· 1,550 fëmijë dhe të rritur nga e gjithë Kosova kanë përfituar nga rehabilitimi i ofruar gjatë kampeve aktive në bregdet;

· HandiKOS ka avokuar, lobuar  dhe ka marre pjese ne krijimin, ndryshimin dhe monitorimin e implementimit të infrastrukturës ligjore në fushën e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara;

· Përmes organizimit të fushatave të ndryshme, dokumentarëve, videoprezantimeve, debateve televizive, tryezave, HandiKOS ka ngritur vetëdijen e personave me aftësi të kufizuar dhe familjarëve për të drejtat e tyre, përfaqësuesve të institucioneve dhe mbarë shoqërisë në Kosovë;

· HandiKOS ka publikuar udhëzues dhe doracak të ndryshëm për të drejtat e personave me aftësi të kufizuar, duke u bërë burimi i vetëm i informacionit mbi aftësinë e kufizuar në Kosovë;

· HandiKOS gjatë gjithë këtyre viteve ka ngritur kapacitetet e stafit në harmoni me nevojat e personave me aftësi të kufizuara duke ju përshtatur rrethanave të kohës;

· HandiKOS është një nga organizatat e cila punëson më së shumti persona me aftësi të kufizuar dhe ndërmjetëson punësimin e tyre në tregun e punës duke ngritur kapacitetet e tyre;

 

· Gjate kësaj kohe HandiKOS zhvilloi kapacitetet dhe u be partner serioz i donatoreve dhe organizatave ndërkombëtare, lokale ne implementimin e projekteve, si dhe forcoj bashkëpunimin me institucione te nivelit qendror dhe lokal me qellim te përmirësimit te kushteve dhe avancimit të pozitës së personave me aftësi te kufizuara në Kosovë.