HANDIKOS Sample Page Storie Suksesi Njihuni me Hajredin Krasniqin - Njeriun që kurrë nuk u dorëzua për të arritur qëllimet e tij

‘’Çelësi i suksesit është mos me u mshel e me u demoralizu, por me u mundu me e tregu veten të barabartë me të gjithë’’.

Kjo është fjalia që Hajredin Krasniqi nga fshati Shushicë e Graçanicës e përdor shpesh, teksa tregon për peripetitë dhe të arriturat e tij jetësore, përkundër aftësisë së kufizuar që ka.

Një njeri që kurrë nuk u dorëzua. U ngrit për të luftuar për veten e tij. Krijoi familje, u punësua dhe arriti të bëhet i pavarur.

‘’Jam martuar në vitin 2015, kam dy vajza. 90 për qind të objektivave deri tash i kam arritur’’, thotë Hajredini.

Që nga viti 2004 iu bashkua familjes së madhe të HANDIKOS-it. Kurrë nuk rreshti së kërkuari punë e angazhim për veten. Në vitin 2007, përmes Ministrisë, Punës dhe Mirëqenies Sociale, Hajredini është kyçur si praktikant në HANDIKOS, kështu për të vazhuar me projekte të tjera deri në vitin 2014.

Ai përgjatë kësaj kohe është angazhuar si asistent administrativ dhe në arkivë. Përmes projekteve të ndryshme, ka kaluar edhe në logjistikë, punëtori të karrocave e në aktivitete tjera. Kohë pas kohe, ka punuar edhe si vullnetar për HANDIKOS-in.

Hajredini, në vitin 2016, me ndërmjetësim të HANDIKOS-it është punësuar si monitorues në rrjetin e marketeve ‘Viva Fresh’, punë të cilën vazhdon ta bëjë edhe sot.

‘’Është punë e lehtë, që më përshtatet. Secili me angazhim arrin gjithçka. Nëse pasivizohet dhe mbetet veç në shtëpi, e kam këtë aftësi të kufizuar dhe me u mbyllë, me atë veç shkon duke e shkatërruar veten. Me mund, tejkalohen të gjitha’’, thotë Hajredini.

Ai tregon edhe një eksperiencë të vitit 2011 në Finlandë, udhëtim i realizuar përmes HANDIKOS-it.

Hajredini thotë se duhet bërë më shumë për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë.

”Paragjykimet dhe diskriminimet duhet të zhduken”.

0 Comments

Related post

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *