HANDIKOS në bashkëpunim me OPAK dhe ZQM’në lansojnë raportin vjetor për aftësinë e kufizuar
- Published:03/12/2020
- By Kaltërina Misini
- Category: Aktivitetet
Në kuadër të Projektit “Kosova Gjithëpërfshirëse” (Promovimi i gjithëpërfshirjes në proceset konsultative për reformat e qeverisjes dhe administratës publike në sektorin e aftësisë së kufizuar në nivel lokal, nacional dhe regjional), mbështetur nga zyra e BE në Kosovë, i cili implementohet nga HandiKOS, në partneritet me Disability Partnership Finland, Threshold, Shoqatën Kosovare të Shurdhërve dhe Shoqatën e të Verbërve të Kosovës, dhe Forumin Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, në bashkëpunim të ngushtë me Zyrën për Qeverisje të Mirë, është organizuar Konferenca për të shënuar 3‑Dhjetorin, Ditën Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuara.
Qëllim i shënimit të kësaj dite ishte diskutimi dhe përcaktimi i prioriteteve në mbrojtjen dhe sigurimin e të drejtave të Personave me Aftësi të Kufizuara, si pjesë e barabartë e shoqërisë në Republikën e Kosovës.
Hapjen e Konferencës dhe fjalën hyrëse e bëri Z. Habit Hajredini nga Zyra për Qeverisje të Mirë/Zyra e Kryeministrit, kurse pjesëmarrës me fjalimet dhe mbështetjen e tyre ishin edhe zv. kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Driton Selmanaj dhe z. Naim Celaj, Instituti i Avokatit të Popullit.
Panelistë të tjerë në konferencë ishin znj. Latife Neziri nga Projekti “Kosova Gjithëpërfshirëse” i cili mbështetet nga zyra e BE’së në Kosovë, e cila ka prezantuar Raportin Vjetor të Aftësisë së Kufizuar, si dhe z. Bujar Kadriu, Forumi Kosovar i Aftësisë së Kufizuar, z. Afrim Maliqi, HANDIKOS, z. Enver Kurtalani, Shoqata Kosovare e të Shurdhërve dhe Daut Tishuku, Shoqata Kosovare e Personave të Verbër.