Amari — 10 vjeçari që rehabilitoi katër tinguj për pak muaj nga shërbimi logopedik
- Published:15/12/2023
- By Test Test
- Category: Storie Suksesi
‘’Për me vazhdu shërbimet sociale çdoherë, unë kisha me qenë prindi më i lumtur në botë’’.
Kështu thotë Merita Kelmendi, nëna e Amarit, i cili tash e gati gjashtë muaj merr shërbimin logopedik në HANDIKOS dhe përmes së cilit ka arritur të rehabilitojë artikulimin e pastër të katër tingujve në të folur.
Ndërsa, Amari shprehet entuziastë për këtë mbështetje, duke thënë se ”me dëshirë vi çdoherë”.
Merita tregon se si kohë më parë, ndonëse tash Amari 10-vjeçar, për shkak të kostos së lartë të këtij shërbimi në ordinanca private, kishin arritur si familje ta dërgojnë vetëm dy herë për të marrë mbështetje logopedike.
‘’Ia kemi ndërpre sepse nuk kemi pasë mundësi. Mirëpo, HANDIKOS na ka identikuar përmes shkollës ku vijon mësimet Amari dhe kemi nisur këtu’’.
Amari mbështetjen logopedike e ka ndjekur një herë në javë, mirëpo rezultatet e tij janë sa të përfshihej në 3–4 seanca gjatë javës, thotë logopedja e HANDIKOS, Devleta Murati, e cila ka punuar me shumë përkushtim me gjithë fëmijët.
Dëshirë e madhe e Meritës është që të mos ndërprehen shërbimet sociale asnjëherë për djalin e saj, i cili po ashtu ka nevojë për fizioterapi e mbështetje psiko-sociale, ku është përfshirë gjatë vitit në qendrën tonë.
‘’Në HANDIKOS ndihem si në shtëpinë time. Do i bëja apel institucioneve që gjithëqysh me pasë përkrahje e qëndrueshmëri të shërbimeve për fëmijët dhe neve si prindër’’.
Përpos Amarit, në shërbimin logopedik janë përfshirë edhe 16 fëmijë tjerë, kjo përmes projektit të mbështetur nga komuna e Prishtinës, i cili do zgjasë deri më 15 janar 2024.