HANDIKOS Sample Page Njoftime Një listë e aktiviteteve që prindërit mund t’i bëjnë bashkë me fëmijët e tyre në shtëpi

Pandemia COVID-19 që nga fillimviti ka detyruar shumicën e fëmijëve dhe prindërve në të gjithë botën të qëndrojnë të izoluar nëpër shtëpitë e tyre, duke respektuar masat mbrojtëse dhe për të mbajtur veten dhe famijarët të sigurt.

Megjithatë, e mira qëndron tek fakti që prindërit do të kenë mundësi më të mëdha që gjatë kësaj periudhe të qëndrojnë më pranë fëmijëve të tyre dhe të zhvillojnë aktivitete të ndryshme bashkërisht në shtëpi.

Ne po ju sjellim një listë të aktiviteteve që mund t’i realizoni për aq kohë sa gjendeni në karantinë:

– Mësoni në shtëpi

Edhe pse shkollat vazhdojnë të jenë të mbylluara deri në tejkalim të kësaj situate, fëmijët mund të përdorin mundësi të ndryshme për të pasuruar njohuritë e tyre. Përveç mësimit virtual përmes Radiotelevizionit të Kosovës, ju mund të shfrytëzoni edhe internetin për të shfletuar gjëra për të cilat nuk i keni ditur më herët.

– Krijoni një orar gjatë ditës

Prindërit mund të përdorin një orar të caktuar për t’i ndihmuar fëmijët e tyre të qëndrojnë të përqendruar dhe të mësojnë në të njëjtën kohë. Dita të fillojë duke ngrënë mëngjes dhe duke u përgatitur për mësimet online. Praktikojini pauzat për relaksim. Jepini fëmijës tuaj një praktikë shkrimi, hani drekë dhe më pas kaloni ca kohë të bukur me familjen, përpara se t’i dërgoni në shtrat.

– Inkurajoni një rutinë tek fëmijët tuaj

Krijimi i një rutine për fëmijën tuaj është një nga gjërat më të mira që mund të bëni gjatë një vetë-izolimi, sipas revistës Time. Një ide mund të jetë krijimi i një rutine kohore për ekspozim në ekran (TV. telefon, kompjuter). Krijoni një orë të caktuar çdo ditë ku fëmijët mund të përdorin ekranet e tyre. Në këtë mënyrë, ata nuk përqendrohen shumë në të.

– Punoni lojëra me enigma

Lojërat stimulojnë punën e trurit dhe mendimin kritik për t’i bashkuar pjesët. Blerja e një enigme të madhe për t’u bashkuar si familje gjatë ditëve të ardhshme mund të jetë një mënyrë e mirë për t’u lidhur gjatë karantinës. Bëhuni asistentë të fëmijëve tuaj në këtë lojë.

– Merruni me forma të ndryshme të artit

Pikturë? Vizatim? Ngjyrosje? Të gjitha këto janë opsione të mira për të kaluar kohën e lirë nëpër shtëpitë e juaja. Pajisjet e artit do të ndihmojnë fëmijët dhe prindërit të punojnë së bashku për argëtim. Ashtu si librat me figura, edhe puna e artit kërkon përqendrim.

– Lërini të ndihmojnë me gatimin

Keni nevojë për ndihmë për gatimin e darkës apo drekës? Kërkojeni ndihmën e fëmijës suaj. Sipas mundësive, të ofrohen tek kuzhina dhe të paktën të ndjehen sikur po kontribuojnë në përgatijen e ushqimit për familjarët.

– Përdorni lojërat e ndryshme për argëtim

Gjithësecili nga ju mban lodrat e preferuara në shtëpi. Gjeni një kohë dhe argëtohuni. Luani me fëmijën tuaj dhe nxitni aktivitete që ju nevojitet atyre. Nëse përdorni lojërat në ambiente të jashtme, pastroni dhe dezinfektoni mirë duart dhe pajisjet tuaja (nëse përdorni), para se të futeni brenda.

– Shkruani letra

Fëmijët këto ditë nuk mund të takohen me shokët dhe shoqet e tyre. Inkurajoni dhe asistoni ata të shkruajnë letra për njëri-tjetrin, apo edhe për ndonjë familjar tuajin. Kjo u lejon atyre të praktikojnë aftësitë e tyre të të shkruarit dhe u jep atyre një mundësi për të qëndruar në kontakt me njerëzit.

– Merruni me aktivitete fizike

Gjatë paradites suaj mund të ndani disa minuta që të aplikoni ndonjë ushtrim bashkë me fëmijën tuaj, por edhe në ndonjë orë tjetër gjatë ditës.

0 Comments

Related post