Përshtypjet e Faikut, si përfitues i shërbimit të fizioterapisë që po ofrojmë në terren
- Published:09/10/2023
- By Kaltërina Misini
- Category: Storie Suksesi
‘’Prej ditë së parë që ia kam nisë me marrë këtë shërbim, ia ka nisë me m’u çliru dora. S’mund ta ngritja lart as për m’e ndezë dritën’’.
Kështu thotë Faik Berisha, 69-vjeçar i cili jeton me paraplegji tash e 31-vjet. E duke u përballur me sfida të përditshme edhe në qasje infrastrukturore, pasi banon në një ndërtesë kolektive pa ashensor në Prishtinë dhe duhet të kalojë dhjetëra shkallë me karrocë për të dalë jashtë shtëpisë, Faiku është një prej përfituesve të shërbimit të fizioterapisë që po ofrojmë në terren.
Në këtë shërbim tejet të rëndësishëm për shëndetin e tij, Faiku ka nisur të përfshihet tash e pesë javë, për çka fizioterapeutja e HANDIKOS dy herë në javë viziton atë për të aplikuar ushtrime të ndryshme, në kushte shtëpie, sikurse janë ato të frymëmarrjes, lëvizjes dhe forcës muskulare.
Faiku është shumë entuziastë për këtë mbështetje, që për shkak të vështirësisë për të dalë nga banesa, nuk e kishte pranuar për vite as në forma tjera.
‘’ Ky është një projekt i qëlluar. S’kam marrë shërbime fizioterapeutike tash e një kohë. Shkaku i shkallëve veç kur është e domosdoshme dal jashtë’’, janë fjalët e Faikut.
Tutje ai shton ‘’Kam dëshirë me vazhdu, meqë as kur tubohen shokët, rrallë se nuk dal kurrë’’.
Përpos shërbimit direkt nga fizioterapeutja, Faiku këshillohet në vazhdimësi se si në kushte shtëpie, edhe vet të aplikojë ushtrime të ndryshme. Ndërkohë që, një herë në javë, për këshillime të ndryshme, aty prezentë e kemi edhe ofruesen e shërbimit psiko-social.
Ky shërbim në terren po ofrohet në kuadër të projektit të mbështetur nga Ministria e Drejtësisë, përmes së cilit deri në fund të vitit synojmë të përfshijmë 40 persona me aftësi të kufizuara të regjionit të Prishtinës.