Falemnderit shumë Eliza. Sa herë që e dëgjoj rrëfimin tënd, emocionohem, por në anën tjetër edhe krenohem që në mesin e fëmijëve, në mesin e anëtarëve të grupit ‘’Hëna’’ kemi këso luftëtarë për të drejta e që nuk dorëzohen përballë asgjëje.
Hajde edhe një duartrokitje për Elizën!
Pra unë jam Eldin Gashi, avokues për të drejtat e fëmijëve në kuadër të Grupit Hëna, pjesë e së cilit jam që nga themelimi. E tash edhe mentor i grupit, i cili synon të përmirësojë respektimin e të drejtave të fëmijëve në Kosovë.
Është e drejtë bazike e secilit fëmijë të rritet në një ambient të sigurt, pa dhunë, ndëshkim apo poshtërim. E janë të rriturit dhe institucionet ata të cilët duhet të punojnë drejt plotësimit të kësaj të drejte për secilin fëmijë. E si duket, prej sfidave më të mëdha që përjetojmë si fëmijë me aftësi të kufizuara është ambienti ku duhet të ekspozohemi më së shpeshti, pas shtëpisë, e që është shkolla. Unë si nxënës, kam folur edhe më parë për përvojat e mia paraprake, ku pikërisht për shkak të aftësisë time të kufizuar jam bullizuar dhe atë nga një ish-mësimdhënës i imi. Pak a shumë njëjtë si Eliza. Po e ndaj shkurt:
Isha kujdestar i ditë dhe për të përbushuar një nga obligimet bazike siç është pastrimi i shpuzës, u nisa drejt derës për të shkuar deri tek vendi ku ka ujë. Dhe papritmas, më erdhi zëri i arsimtarit me këtë përmbajtje: Leje leje ti, se derisa të shkojsh e kthehesh na kryhet ora’’.
Unë s’po du me komentu tutje këtë qasje këtu para jush, po e lë ta gjykoni vet, sepse unë veçse e kam tejkaluar.
E përpos kësaj, kam raste kur jam ngacmuar edhe nga bashkëmoshatarë të mi. Mirëpo, unë i kam luftuar ato paragjykime e ngacmime që më janë bërë, duke e ngritur zërin për të drejtat e mia e duke pasur mbështetjen e shumë personave tjerë përreth. Por, e di që jo secili fëmijë e ka këtë fat e këtë forcë.
Unë bashkë me Grupin Hëna jemi munduar që përmes disa intervenimeve avokuese të përmirësojmë të drejtat bazike, sikurse rregullimin e një banjo të qasshme në shkollën fillore ‘’Ismail Qemajli’’ në bashkëpunm me PEN, platëformen “In your shoes”, platformë që i mundëson fëmijëve me aftësi të kufizuara të shprehin sfidat, brengat qoftë edhe të arriturat, shumë kampanja kundër diskriminimit, bullizmit edhe ngritjes së vetëdijes të vet fëmijëve.
Me përkrahjen e pakursyer të HANDIKOS dhe arritjeve tona si grup, unë arrita të bëhem Mentor/Fasilitator i Hënës, grup që tash shtrihet në shtatë komuna ku numron 190 fëmijë, bashkë me nga 2 liderë nëper këto komuna. Kjo shtrirje u mundësua këtë vit falë mbështetjes së UNICEF, në partneritet me USAID në Kosovë.
Takimet e rregullta që ne i realizojmë duke i prekur të gjitha sfidat dhe mbështetjen e njëri të tjetrit duke shkëmbyer përvojat për mu është një storie e suksesi.
Dua me falënderu shumë edhe stafin e HANDIKOS-it që më kanë ndihmu në çdo hap, koordinatoren e projektit, asistentin e edhe nënën time.
Unë dua të përcjell veë një porosi për të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara: të avokoni për qasje, arsimim, integrim në shoqëri e barazi kudo. Ne meritojmë të jemi të lumtur sikurse gjithë fëmijët e botës e të na plotësohen gjitha kushtet.
S’po e zgjas më shumë, sepse po e shoh që shoku im, Loriku, me pa durim po pret që të dalë edhe ai këtu e të ju kallëxojë shumë anë nga jeta e tij.