‘’Ngom mu!’’ – Fëmijët me aftësi të kufizuara kërkojnë pjesëmarrje më të madhe dhe të dëgjohet zëri i tyre
- Published:10/12/2021
- By Kaltërina Misini
- Category: Hëna, Njoftime
HANDIKOS sot ka lansuar kampanjën “Ngom mu!”, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, përmes së cilës fëmijët me aftësi të kufizuara promovojnë avancimin e tyre, pjesëmarrjen dhe intervenimet që janë realizuar falë iniciativave dhe ngritjes së zërit të tyre.
Kampanja ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së institucioneve dhe shoqërisë rreth llogaridhënies sociale dhe pjesëmarrjes së fëmijëve.
Eldin Gashi, përfaqësues i grupit avokues të fëmijëve me aftësi të kufizuara “Hëna”, tha se për realizimin e të drejtave themelore të fëmijëve kanë avokuar tek institucionet përgjegjëse dhe kanë ngritur zërin për ato që ju takojnë.
Ai tha se si grup kanë kontribuar edhe tek procesi i Fletënotimit Komunitar i realizuar nga HANDIKOS në sektorë të ndryshëm si në edukim, shëndetësi dhe mirëqenie sociale.
“Si rrjedhojë e pjesëmarrjes tonë në këtë proces kemi arritur disa rezultate madhore si, shndërrimi i dy klasave të bashkangjitura në klasa burimore në Ferizaj dhe në Gjakovë, si dhe mbështetja e krijimit të klasës burimore në shkollën Hilmi Rakovica në Prishtinë, duke kontribuar kështu direkt që fëmijët me aftësi të kufizuara të jenë më gjithëpërfshirës në shoqëri. Po ashtu ne e kemi krijuar edhe liftin e qasshëm në QKMF në Gjakovë dhe në Prishtinë, po ashtu kemi bërë një tualet të qasshëm për fëmijët me aftësi të kufizuara në shkollën Ismail Qemaili në Prishtinë…Të gjitha këto rezultate ne kemi arritur duke na u dhënë mundësia që t’i shprehim shqetësimet tona dhe mendimet tona, që këto janë marrë parasysh. Kjo tregon fuqinë që mund ta ketë zëri ynë nëse ai dëgjohet, kështu që ‘ngom mu’”, tha ai.
Ndërkaq, Valid Zhubi, përfaqësues i Save the Children në Kosovë u shpreh se në vazhdimësi punojnë për fëmijët që janë më të prekur nga pabarazitë dhe diskriminimet.
“Kemi bërë një rrugë të gjatë në punën tonë për fëmijët që janë më të prekur nga pabarazitë dhe diskriminimet dhe rregullisht adresojmë në nivele të ndryshme. Megjithatë, fatkeqësisht fëmijët me aftësi të kufizuara, familjet e tyre dhe fëmijët e prindërve me aftësi të kufizuara vazhdojnë të mbeten prapa. Ne punojmë për të siguruar që politik-bërësit dhe ofruesit e shërbimeve për të drejtat e fëmijëve në nivel lokal në Kosovë dhe organizatat e shoqërisë civile të jenë të vetëdijshëm për situatën e të drejtave të fëmijëve dhe të veprojnë me sinergji për të përmirësuar situatën e tyre”, tha ai.
Në kuadër të shënimit të kësaj dite, u prezantuan edhe të gjeturat e raportit vlerësues mbi punën pesëvjeçare të HANDIKOS lidhur me llogaridhënien sociale dhe pjesëmarrjen e fëmijëve, në kuadër të projektit “Promovimi i parandalimit të dhunës ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara në të gjitha mjediset”, i cili implementohet në partneritet me Save the Childrën në Kosovë dhe mbështetet nga SIDA Suedeze.
Lidhur me këtë raport, Artë Halimi nga HANDIKOS, tha se përmes këtij projekti janë arritur rezultate konkrete, të cilat kanë ndikuar në fuqizimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara.
“Është një projekt, i cili ka prodhuar ndryshime të mëdha në fuqizimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara edhe komunitetit në përgjithësi, po në të njëjtën kohë ka promovuar bashkëpunimin midis ofruesve të shërbimeve dhe vetë fëmijëve me aftësi të kufizuara si urë lidhëse për bashkëpunime të mëtutjeshme dhe për përmirësim të mëtutjeshëm të shërbimeve për fëmijët…Procesi i Fletënotimit Komunitar është proces përmes të cilit përgjatë pesë viteve është iniciuar shtatë herë me gjithsej 15 institucione. Në sektorin e arsimit janë gjithsej tetë shkolla të cilat kanë përfituar prej procesit të Fletënotimit Komunitar në katër komuna target… Në arsim janë arritur disa rezultate kyçe, të cilat po dëshirojmë t’i ndajmë me ju, fillimisht janë shndërruar dy klasa të bashkangjitura në klasa burimore në Ferizaj dhe në Gjakovë, rezultat ky i cili më të vërtetë e pasqyron një sukses shumë të madh për shkak që me automatizëm e ka lehtësuar gjithëpërfshirjen e fëmijëve”, tha ajo.
Si suksese ajo përmendi edhe sigurimin e transportit për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe rritjen e bashkëpunimit ndërmjet mësuesve të rregullt dhe atyre mbështetës.
HANDIKOS po ashtu ka lansuar edhe dy video, njëra e cila promovon llogaridhënien dhe pjesëmarrjen dhe tjera punën dhe avancimin e grupit ‘’Hëna’’.
Pjesë e kampanjës, ishte edhe vendosja e posterave në institucione shëndetësore, të mirëqenies sociale dhe të atyre arsimore, në komunat: Prishtinë, Gjakovë, Mitrovicë dhe Ferizaj.