Shoqata e Paraplegjikëve dhe e Paralizës së Fëmijëve të Kosovës – HANDIKOS, sot bashkërisht me HANDIKOS Prishtina dhe Grupin Avokues të Prindërve të fëmijëve e të rriturve me aftësi të kufizuara në Prishtinë, mbajti një konferencë të jashtëzakonshme, për të adresuar shqetësimin rreth situatës me të cilën po pëmbyllet ky fundvit dhe ndërprerjen e shërbimeve në Qendrën e Resurseve, si pasojë e mos mbështetjes së institucioneve dhe përfundimit të të gjitha projekteve që kanë qenë të fokusura në këtë fushë.
Drejtori i HANDIKOS, Afrim Maliqi ka thënë se me ndërprerjen e shërbimeve sociale, do pësojnë fëmijët e të rriturit me aftësi të kufizuara, prej të cilave vetëm këtë vit nga gjitha projektet e implementuara, të mbështetura nga donatorët, kanë qenë të përfshirë në shërbime sociale rreth 350 veta, e që nevoja është për një numër shumë më të lartë prej tyre.
‘’Kjo qendër është e dizajnuar për shërbime, trajnime dhe jetesë të pavarur për fëmijët e të rriturit me aftësi të kufizuara, të cilën me ndihmën e donatorëve, nisur prej ndërtimit të saj, e kemi pajisur me mjete pune, automjete të përshtatshme për transport, staf të kualifikuar, por e cila nga janari 2024 rrezikon të mbyllet, si shkak i mungesës së mbështetjes institucionale, veçanërisht nga komuna e Prishtinës’’.
Maliqi tregon se përkundër thirrjeve e kërkesave të vazhdueshme drejt komunës së Prishtinës për të siguruar shërbime sociale të qëndrueshme apo afatgjate për personat me aftësi të kufizuara, siç edhe obligohen, nuk kanë vepruar asgjë.
‘’Udhëheqësit e komunës para se të vinin në pushtet janë zotuar se do të zbatojnë të drejtat dhe nevojat e personave me aftësi të kufizuara, përfshirë mbështetjen e shërbimeve, por nuk po i përmbushin ato. Mbështetje prej tyre ka qenë një grant 15 mijë euro, vetëm gjashtë muaj, i pamjaftueshëm dhe jo mbulues për ofrimin e këtyre shërbimeve, që në realitet prej aty, kapacitetet kanë qenë për të përfshirë vetëm 17 fëmijë me aftësi të kufizuara në shërbime’’.
‘’Ne e dijmë që komuna e Prishtinës mund të gjejë alternativë për mbështetje dhe ka bazë ligjore, njejtë sikurse ka mbështetur e po financon organizata tjera, ndonëse nuk kemi detaje të sakta sa, por që këto ditë e keni parë se komuna e ka hapë një qendër të re për ofrimin e shërbimeve për dy grupe të aftësisë së kufizuar, gjë që është shumë mirë, por në anën tjetër po e mbyllë një qendër sikurse ne, e cila trajton shumëllojshmëri të diagnozave.’’
‘’Objekti jonë është në komunën e Prishtinës dhe ofron shërbime për qytetarët e komunës së Prishtinës, prandaj po detyrohemi që të dalim me këtë konferencë dhe të tregojmë situatën reale në të cilën gjendemi, për të bërë apel për mbështetje nga institucionet dhe qindra fëmijë e të rritur me aftësi të kufizuara mos të mbesin pa këtë mbështetje jetike’’.
Ndërkaq, Fidajete Pllana, nënë nga grupi avokues i prindërve është shprehur shumë e shqetësuar me situatën, kështu duke kërkuar shërbime të qendrueshme nga institucionet, e në rast se nuk plotësohen kërkesat e tyre, paralajmëroi se do përdorin edhe forma tjera drejt arritjes së plotësimit të kërkesave të tyre, sikurse janë protestat.
Fjalimi i saj i plotë:
Ne si prindër dhe grup avokues i prindërve të fëmijëve me aftësi të kufizuara jemi shumë të shqetësuar me ndërprerjen e këtyre shërbimeve për fëmijët tanë në HANDIKOS. Ne mjaft kemi sfida dhe barriera për të arritur deri te një shërbim, qoftë shëndetësor apo social, e tani të ballafaqohemi edhe me ndërprerjen e tyre, është shumë e padrejtë dhe për keqardhje. Realisht jemi të rënduar emocionalisht dhe të dëmtuar ekonomikisht sepse më ndërprerjen e këtyre shërbimeve, i gjithë progresi i arritur deri më tash, do të kthehet në regres për fëmijët e të rriturit me aftësi të kufizuara, por edhe për neve prindërve.
Unanimisht kërkojmë nga komuna e Prishtinës të ofrojë zgjidhje kudo qoftë për vazhdimin e shërbimeve afatgjate, ashtu siç ka arritur të mbështesë e të vazhdojë të financojë organizata të tjera apo qendra që ofrojnë shërbime për grupe tjera të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ne nuk jemi kundër asnjë qendre apo organizate që operon me mbështetje të selektuar nga komuna e Prishtinës, por jemi kundër diskriminimit që na është bërë në rastin tonë, sepse HANDIKOS ka qenë i vetmi vend ku ne kemi marrë shërbime jetike për shëndetin e mirëqenien e fëmijëve tanë, sikurse fizioterapi, psikologji, psiko-sociale e logopedi, pa asnjë kosto të vetme, duke përfshirë edhe transportin pa pagesë, gjë që ka ndiku në mirëqenien si familje në gjitha aspektet.
Në vend që personat me aftësi të kufizuara t’ju gëzohen festive të fundvitit si çdo qytetar tjetër, në fakt duhet të preokupohemi se a do marrim shërbime nga janari apo jo, e më së paku këto grupe të qytetarëve duhet të dijnë për këtë problematikë.
Jemi të thyer moralisht dhe të shkelur ligjërisht nga institucionet tona, të cilat kanë premtu shumë për personat me aftësi të kufizuara, e kanë realizuar shumë pak.
Të gjithë e dijmë se HANDIKOS veprimtarinë e vet e zhvillon veç në bazë të projekteve, të cilat janë afatshkurtra dhe jo të qëndrueshme, andaj apel të gjitha institucioneve lokale por edhe qendrore të munësojnë shërbime sociale nga janari, pa ndërprerje sepse ne nuk kërkojmë lëmoshë, por të drejtat tona të bazuara në Ligj. Përndryshe, si prindër do të marrim edhe hapa tjerë drejt realizimit të kërkesave dhe nevojave elementare të fëmijëve tanë, por edhe të rriturve me aftësi të kufizuara.
Hapat tanë do të jenë të qartë, qoftë duke organizuar protesta apo qëndruar para komunës së Prishtinës, në mënyrë që të realizohen qëllimet tona, që na garantohen me Ligj dhe si qytetarë të këtij vendi.
Të pranishëm sot në konferencë ishin edhe fëmijë, prindër e të rritur të tjerë me aftësi të kufizuara.