Raport: Kosova përmbush veç rreth 30 për qind të ligjeve në fuqi për personat me aftësi të kufizuara
- Published:12/05/2020
- By Kaltërina Misini
- Category: Aktivitetet
HANDIKOS sot ka lansuar raportin hulumtues ‘’Standardet ndërkombëtare mbi çështjet e aftësisë së kufizuar: Ku qëndron Kosova?’’, të punuar tash e disa muaj rreth asaj se ku qëndron Kosova në raport me standardet ndërkombëtare mbi çështjet e aftësisë së kufizuar.
Ky studim ka pasur për qëllim vlerësimin e zbrazëtirave të legjislacionit në fuqi në Kosovë në raport me Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, Acquis Communautaire të Bashkimit Evropian, Qëllimet e Zhvillimit të Qëndrueshëm, Strategjisë Nacionale për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara dhe Planit Nacional të Veprimit për Personat me Aftësi të Kufizuara.
Fatkeqësisht, rezultatet e hulumtimit pasqyrojnë se vetëm 30 për qind e standardeve të kërkuara ndërkombëtare janë të integruara në ligjet në fuqi që rregullojnë çështjet e personave me aftësi të kufizuara. Raporti i hulumtimit ka identifikuar se një nga kategoritë themelore e të drejtave të tyre- Qasshmëria, vetëm 6,7%, të standardeve ndërkombëtare janë të përfshira në legjislacionin e Kosovës.
Sipas raportit, rreth 70% të standardeve ndërkombëtare mungojnë ose janë pjesërisht të përfshira apo/dhe të integruara në legjislacionin e Kosovës. Prandaj institucionet e Kosovës duhet të përmirësojnë legjislacionin ekzistues të afësisë së kufizuar sipas standardeve ndërkombëtare, duke u mundësuar personave me afësi të kufizuara të gëzojnë dhe ushtrojnë plotësisht të drejtat dhe shërbimet përkatëse.
Hulumtimi është financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë në kuadër të projektit “Promovimi gjithëpërfshirës në proceset konsultative për reformat e qeverisjes dhe administratës publike në sektorin e aftësisë së kufizuar në nivel Lokal, Nacional dhe Regjional”, i cili zbatohet nga HANDIKOS, në partneritet me Disability Partnership Finland, Threshold, Shoqatën Kosovare të Shurdhërve dhe Shoqatën e të Verbërve të Kosovës.