Rektori Gashi priti në një takim studentët me aftësi të kufizuara
- Published:07/12/2012
- By Kaltërina Misini
- Category: Njoftime
Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. asoc. dr.Ibrahim Gashi, priti në një takim një grup studentësh me aftësi të kufizuara.
Studentët falënderuan rektorin Gashi për pritjen e bërë, njëkohësisht edhe parashtruan disa nga kërkesat e tyre, si lirimin e plotë nga pagesa e semestrit, rregullimin e infrastrukturës, gjë që do ta lehtësonte qasjen e tyre në çdo fakultet, pastaj që ligjëratat dhe ushtrimet për këtë kategori studentësh të organizohen në katin e parë, tualete që do të ishin funksionale për këta, etj.
Rektori i falënderoi studentët për vizitën e bërë, duke shprehur dëshirën e menaxhmentit të UP-së që këta studentë ta gëzojnë jetën studentore plotësisht dhe paralelisht me çdo student tjetër, në mënyrë që t’i zhvillojnë aftësitë e tyre intelektuale, si pjesë e rëndësishme dhe normale e shoqërisë. Si rezultat i kësaj, rektori Gashi u premtoi mbështetje konkrete, duke u ofruar letër përkrahje të nënshkruar nga rektori, ku studentet e kësaj kategorie do të tolerohen për vonesat eventuale në ligjërata, prandaj edhe kërkohet mirëkuptim edhe të dekanateve përkatëse.
“Ne duhet bashkërisht t’i pengojmë paragjykimet e tilla dhe të sigurohet trajtim dhe kushte të barabarta për të gjithë, ashtu siç parashihet edhe me Deklaratën Universale mbi të Drejtat e Njeriut”, tha rektori Gashi.
Krejt ne fund rektori u kërkoj studentëve që të gjitha kërkesat e tyre t’i parashtrojnë në formë të projekt propozimit, në mënyrë që rektorati të kërkojë mbështetje financiare nga Bordi i UP-së dhe partnerët ndërkombëtarë, për krijimin e infrastrukturës në UP, për këtë kategori të studentësh.