’Sot lëvizim bashkë!’ – Aktiviteti i HANDIKOS që uli në karrocë Konjufcën, Ramën, ambasadorë e të tjerë
- Published:01/03/2022
- By Kaltërina Misini
- Category: Njoftime
‘’Sot lëvizim bashkë’’, ishte motoja me të cilën HANDIKOS shënoi 1 Marsin –Ditën Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, me qëllim të ndërgjegjësimit rreth qasjes dhe gjithëpërfshirjes sa më të madhe të personave me aftësi të kufizuara në jetën publike. Patëm kënaqësinë që pjesë të aktivitetit tonë të kemi përfaqësues institucional, ambasadorë të huaj, pjesëtarë të shoqërisë civile, persona me aftësi të kufizuara, e qytetarë të tjerë në përgjithësi.
Lëvizja me karrocë u bë pjesë e secilit pjesëmarrës, ku për së afërmi patën mundësi të kalojnë nëpër barrierat në qasje me të cilat ballafaqohen në përditëshmëri personat me aftësi të kufizuara në Kosovë.
Kryetari i komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama me bashkëpunëtorë sot u bë pjesë e shënimit të 1 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës, i cili u prit nga drejtori i HANDIKOS, z. Afrim Maliqi, ndërkohë që pati rastin të takohet direkt me të rritur e fëmijë me aftësi të kufizuara, prindër të tyre, dhe të dëgjojë kërkesat dhe sfidat me të cilat ballafaqohen në përditshmëri.
Avokuesi për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe pjesëtari i grupit ‘’Hëna’’, Eldin Gashi ia paraqiti një sfidë konkrete për qasjen në shkollën ku vijon mësimet, por adresoi edhe nevojën për ngritje të vetëdijes tek gjithë nxënësit e shoqëria rreth aftësisë së kufizuar.
Kryetari Rama, teksa qëndronte në karrocë u zotua që të punojë tutje në përmirësim të qasjes infrastrukturore në kryeqytet por edhe në fusha të tjera.
Ndërsa, kryeparlamentari z. Glauk Konjufca mirëpriti organizimin, ndërkohë që provoi edhe të lëvizurit me karrocë dhe pa për së afërmi barrierat në qasje me të cilat ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara në Kosovë.
Z. Konjufca shprehi gatishmërinë që të mbështesë proceset dhe t’i çojë përpara ato që janë nën kompetencat e tij.
Eventit të sotëm iu bashkuan edhe deputetët Duda Balje, Eliza Hoxha dhe Eman Rrahmani, si dhe Avokati i Popullit, z. Naim Çelaj.
Ndërkaq, vizitë pikërisht me rastin me Ditës Ndërkombëtare të Përdoruesve të Karrocës kishim edhe nga ambasadori i Italisë, Antonello de Riu, ambasadorja e Francës, znj. Marie-Christine Butel, Shefja e Zyrës për Zhvillim në Ambasadën Gjermane, znj. Vera Dumann, shefja e zyrës së UNICEF në Kosovë, znj. Nona Zicherman, partnerë nga organizata Save the Children, Zyra e BE’së në Kosovë e bashkëpunëtorë të tjerë.