‘Thuaj JO Qeseve të Plastikës’ – HANDIKOS dhe The Balkan Forum ftojnë që nesër të gjithë të bëhen pjesë e kampanjës sonë
- Published:14/04/2021
- By Kaltërina Misini
- Category: Njoftime
HANDIKOS dhe The Balkan Forum tashmë kanë nisur kampanjën ‘Thuaj Jo Qeseve të Plastikës’, ku nesër më 15 prill, në sheshin ‘Skënderbeu’ dhe ‘Nënë Tereza’ në Prishtinë, prej orës 09:00–15:00, përmes një aktiviteti simbolik zyrtarisht do të prezantojmë strajcat e ri-përdorshme të punuara tash e disa muaj nga personat me aftësi të kufizuara.
Kampanja për qëllim ka mbrojtjen e mjedisit përmes përdorimit të strajcave, e në të njëjtën kohë të promovohet dhe mbështetet puna e 10 personave me aftësi të kufizuara.
Pra nesër, bashkërisht u themi JO qeseve të plastikës, për çka ftojmë të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj kampanje, të mos përdorin të paktën për një ditë qese të tilla dhe ta mbështesin kampanjën tonë në forma online.
Pjesë e kampanjës do të jenë edhe udhëheqësit institucionalë të Kosovës.
Personat e punësuar me aftësi të kufizuara deri tash janë mbështetur përmes projektit ‘“Përfshirja e personave me aftësi të kufizuara në tregun e punës përmes prodhimit të qeseve të ri-përdorshme si mbrojtje ndaj mjedisit’’ financuar nga Zyra Zvicerane në Kosovë, mbështetës të tjerë: Meridian Express, Gjirafa.com, Nuka Home, LDS, Byqma, Media Press dhe Balkan Green Foundation.