Fletënotimi komunitar nxiti përmirësimin e qasjes në QKMF Gjakovë
- Published:14/07/2021
- By Kaltërina Misini
- Category: Storie Suksesi
Insitucionet primare për marrjen e shërbimeve mjekësore, siç janë spitalet apo qendrat e mjekësisë familjare në Kosovë vazhdojnë të përballen me sfida në ofrimin e qasjes infrastrukture dhe me standarde për personat me aftësi të kufizuara. Njëjtë ishte deri në vitin e kaluar edhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Gjakovë, ku barrierë kryesore rezultonte mungesa e ashensorit për lëvizje poshtë-lartë.
Mirëpo falë procesit të Fletënotimit Komunitar, në po këtë qendër është arritur që përgjatë vitit 2020, në kuadër të Planit të Veprimit të ndërtohet dhe funksionalizohet ashensori, pa të cilin pengohej marrja e shërbimeve në repartin e Stomatologjisë në veçanti, i cili gjendet në katin e II-të të ndërtesës.
Ky intervenim nuk ua lehtësoi lëvizjen vetëm personave me aftësi të kufzuara, por edhe prindërve të fëmijëve, të moshuarve apo cilitdo grup tjetër që tashmë shërbimet e nevojshme kanë mundësinë t’i pranojnë po në Qendrën Kryesore për Mjekësi Familjare në këtë qytet.
E përshtypjen e saj pozitive për këtë lehtësirë e jep edhe Lumturije Vorfi, prind i një fëmije me aftësi të kufizuar në Gjakovë e cila tregon se më herët ishte detyruar ta barte fëmijën në duar për t’u ngjitur lartë.
‘’Shumë ia ka lehtësuar fëmijës tim qasjen ky ashensor. Çdo lehtësim në qarkullim për ta është i mirëseardhur . Prandaj kur shoh këso lloj iniciativash për të mirë të tyre apo për lehtësim të neve familjarëve për t’i dërguar diku, është shumë e mirëpritur’’, thotë Lumturija.
Ajo tutje tregon se në raste të caktuara ishte detyruar të frekuentonte edhe ordinanca private të Stomatologjisë, na pamundësi për të marrë shërbimin pa pengesa në qasje në QKMF.
‘’Jemi detyruar të shkojmë madje në ordinancë private, shkaku i barrierës në insititucionin publik mjekësor’’.
Lumturija ka edhe një mesazh për gjitha institucionet relevane, në mënyrë që të gjithë qytetarët të trajtohen barabartë kur bëhet fjalë për të drejtën elementare, lëvizjen e lirë.
‘’ Çdo vend që ekziston të bëhet me qasje më të lehtë për çdo person me aftësi të kufizuar. Është çështje njerëzore, jo obligim’’.
Fletënotimi Komunitar është instrument i llogaridhënies sociale i cili bashkon qytetarët dhe ofruesit e shërbimeve në identifikimin e çështjeve të cilat ua vështirësojnë fëmijëve me aftësi të kufizuara qasjen në shërbime të ndryshme, si shëndetësi, edukim, mirëqenie dhe fusha të tjera.
Ky proces implementohet nga HANDIKOS në partneritet me Save the Children në Kosovë, në kuadër të projektit “Promovimi i parandalimit të dhunës ndaj fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë në të gjitha mjediset”, financuar nga SIDA suedeze.
Bashkërisht, mund të bëjmë ndryshime në komunitetin tonë.