Vajza e poezive, Blerina Murtezi
- Published:23/06/2020
- By Test Test
- Category: Storie Suksesi
Poezia është pasioni i saj! Të shkruarit për jetën, natyrën, shoqërinë dhe gjithëçka që e rrethon është gjëja që e bën me aq shumë dashuri dhe përkushtim Blerina. Përkundër aftësisë së kufizuar, ajo nuk po i ndal asnjëherë ëndrrat dhe po ndikon tek shumë njerëz me poezitë të cilat i ka tashmë të botuara në dy libra.
Vajzë e dashur, e shoqërueshme, e fortë dhe plot jetë. Kështu përshkruhet dhe njihet Blerina Murtezi, 26-vjeçare nga qyteti i Ferizajt e cila ka përfunduar shkollimin e mesëm në Qendrën Burimore në Prishtinë dhe dy vite të tjera në atë të Bujqësisë.
‘’Guxo’’ është libri i parë i saj i botuar në vitin 2018, ndërkohë tani është në përfundim edhe të librit të dytë i cili pritet të publikohet së shpejti. Ka aq shumë poezi të cilat i pëlqejnë Blerinës, por në veçanti thekson ‘’Rrezet e Diellit’’, ‘Dhjetori im dhe ‘’Flutura’’.
‘’Mua më frymëzon gjithëçka për të shkruar; familja ime, shoqëria, natyra dhe gjithëçka tjetër e bukur që më rrethon’’, rrëfen Blerina me plot dashuri për poezinë, ndërsa si një ndër autorët e preferuar vendor të saj përmend Albatros Rexhën me librin e tij ‘’Kthimi’’.
Blerina ka shumë miq, nga shkolla fillore dhe e mesme, po ashtu edhe nga organizatat e ndryshme ku është anëtare, përfshirë edhe HANDIKOS-in.
‘’ Me shoqëri shpesh e kaloj kohën në natyrë dhe restorante aty ku e kam të mundshme qasjen fizike’’, rrëfen Blerina.
Ashtu sikurse pandemia mbylli gjithë njerëzit në shtëpi, edhe Blerina thotë se i respektoi në përpikmëri masat mbrojtëse. Madje të qëndruarit brenda ishte mjaft produktiv për të, pasi shërbeu që të shkruante poezitë e saj të bukura në përgatitje të librit të dytë.
Por poezitë e Blerinës nuk mbarojnë vetëm tek libri. Ajo ka krijuar edhe një audiencë të veçantë përmes faqes së saj në Facebook të titulluar ‘’Bota ime – Shkrimi’’, ku secili mund t’i bashkohet kësaj faqeje dhe të lexojë poezitë e saj.
Blerina është një vajzë mjaft aktive dhe na tregon se ka qenë pjesëmarrëse në shumë trajnime, ka mbajtur orë letrare, orë këndimi, gatimi, ka ndjekur kursin e gjuhës angleze etj. Asaj i pëlqen gjithëçka që ka të bëjë me artin.
Për fund, Blerina dha një mesazh inspirues për bashkëmoshatarët e saj por edhe gjithë njerëzit e tjerë.
‘’Ndjekni ëndrrat tuaja dhe asnjëherë mos u dorëzoni. Kurrë nuk është vonë të bëjmë atë që duam në jetë’’.